Presidenti i Kosovës ka thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova se kushti i Demarkacionit ishte një kurth, ndërsa është shprehur se në Bruksel ka zyrtarë që e vonojnë integrimin e Kosovës, në të njëjtën kohë kur e trajtojnë me dashamirësi Serbinë.
“Lojaliteti i Kosovës është keqpërdorur nga individë në Bashkimin Europian për të vonuar integrimin e Kosovës. Por, ne nuk kemi tjetër alternativë. S’e kemi kartën e shantazhit me Rusinë. Ndërsa në Bruksel janë të etur për buzëqeshjen e Beogradit”, ka thënë Hashim Thaçi në Zona e Debatit, njofton Klan Kosova.
“Qasja jonë nuk duhet të keqpërdoret nga zyrtarët e Bashkimit Europian. Ndërsa Demarkacioni ka qenë një kurth për Kosovën”.
Sipas presidentit kosovar në raportet Kosovë-BE, tashmë ka ngecje e kthim prapa.
“Unë jam pritur me flamurin e Kosovës në selitë e BE-së, ndërsa tash nuk pritet askush me flamur, ka regres, sikur kamuflohet realiteti i Kosovës së pavarur e sovrane, por sido që të jetë ne duhet të punojmë për liberalizimin e vizave, sepse s’kemi alternativë tjetër”.
“Por, prapë, dua të theksoj se kalimi i Demarkacionit megjithatë nënkupton liberalizim të vizave, ndërsa luftimi i korrupsionit është agjendë e përhershme”.
Në fund, Thaçi është shprehur optimist se “qasja e Brukselit do të ndryshojë”, por ai ka shtuar se “edhe ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë”.
COMMENTS