Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që ky i fundit të tregojë se kush janë individët nga Irani që ia financojnë partinë dhe se cila është agjenda e tyre, njofton Klan Kosova.
“Sa i përket liderit të Vetëvendosjes, unë jam president i vendit edhe ndoshta duhet me u kursy pak. Po e shoh që s’po i hiqet obsesioni, emri im”, tha Thaçi në konferencë për media.
“Secili sot në Kosovë me e pyet zotëri Kurtin për ekipet e tij të rregullta politike të Vetëvendosjes që i dërgon në Stamboll për trajnime, për organizime dhe financime që i marrin. Kush i çon, pse i çon, kush ia trajnon dhe kush ia financon? Të rregullta mujore”.
“Gjithashtu, le t’ju tregojë juve se kush janë ata individë nga Irani që ia financojnë partinë dhe atë vet personalisht, dhe cila është agjenda e tyre”.
“Nëse ai nuk do që të përgjigjet, le ta pyet Glaukun, nëse nuk përgjigjet edhe Glauku, le t’i pyet familjarët e tij”.
“Përgjigjen e dinë ata. Ata e dinë që edhe unë e di. Por duhet ta dijë tash edhe populli i Kosovës”.
Thaçi po ashtu tha se i vjen keq që agjenda e Kurtit, sipas tij, është në përputhje me atë të Beogradit tash e 20 vjet.
“Gjithashtu, lideri i Vetëvendosjes duhet të përgjigjet edhe për lidhjet e tij me njerëzit e Putinit që i ka instaluar në Ballkanin Perëndimor, dhe që takohet nganjëherë, nëpër vende të ndryshme të Ballkanit dhe jashtë”.
“Më vjen shumë keq, agjenda e tij tash e 20 vjet përputhet me atë të Beogradit që nga Rambuje e deri më sot”.
COMMENTS