517 mijë e 198 euro e 56 cent para të buxhetit të shtetit, në janar të këtij viti, presidenca i kishte ndarë për një kompani lobuese amerikane, e afërt me presidentin Donald Trump.
Në kontratën me kompaninë “Ballard Partners” thuhet se ky gjysmë milioni ishte ndarë për shërbime të konsulencës, për nevojat e Zyrës së Presidentit, raporton KTV.
Por jorastësisht presidenti Thaçi ka zgjedhur pikërisht këtë kompani. Marrë parasysh afërsinë e drejtuesve të kompanisë me zyrën e presidentit Trump, Thaçi ka synuar realizimin e një takimi me presidentin amerikan.
Këtë e ka bërë publike vetë udhëheqësi i kësaj kompanie, Brian Ballard.
Në dokumentin e lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë së kësaj kompanie, thuhet se Ballard është takuar më 20 prill në Mar-A-Lago me Presidentin Trump, të cilit ia ka bartur kërkesën e Ambasadores së Kosovës në Washington, për mundësimin e realizimit të një takimi me presidentin Hashim Thaçi.
Ndarja e miliona eurove nga presidenti Thaçi, fillimisht për autobiografinë e tash për këtë synim, shihet si keqpërdorim i parasë publike në përpjeke për rregullimin e imazhit të tij.
Deputeti i Kuvendit nga Partia Socialdemokrate, Faton Topalli, thotë se presidenti në vazhdimësi ka abuzuar me paranë publike.
Ndërkaq, deputeti i Alternativës, Ilir Deda, thotë se çdo herë nga secila parti janë ngritur dyshime mbi atë se si po shpenzohet paraja e taksapaguesve në emër të lobimit.
Por krejt këto dyshime pritet t’i vërtetojë komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi.
Ky komision shumë shpejt pritet të nisë punën dhe pritet të hetojë të gjitha dokumentet e qeverisë dhe presidencës dhe paratë e shpenzuara me këtë qëllim.
Sidoqoftë, ende nuk është e qartë nëse Trumpi e ka pranuar kërkesën e Thaçit.
Brian Billard ka raporte personale me Presidentin Trump dhe pas fitores së republikanit, i ka bartur zyrat e tij në Washington.
Kompania e tij, përveç Kosovës, lobon në SHBA edhe në emër të qeverive të Azerbajxhanit, Republikës Dominikane, Katarit dhe Turqisë.
COMMENTS