Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë e ka paraqitur strategjinë e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me të cilën merret linjë e fortë ndaj Kinës dhe Rusisë, por tha se Uashingtoni do të synojë “partneritet të madh” me dy këto fuqi “rivale”, derisa i mbronë interesat kombëtare amerikane.
Në një fjalim me tematikë të gjërë në Uashington, pak kohë pasi Shtëpia e Bardhë e publikoi dokumentin e strategjisë, zoti Trump tha se “realizmi” dhe “Amerika së Pari” do të jenë parime udhëzuese të sigurisë kombëtare, që ecin përpara dhe ashpër i ka kritikuar të arriturat e paraardhësve të tij, për një rreze të gjërë të çështjeve, përfshirë kundërterrorizmin, Iranin dhe Korenë Veriore.
Në këtë kuadër ai e ka përsëritur vlerësimin e tij të ashpër për marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe fuqive kryesore botërore për kufizimin e ambicjeve atomike iraniane në këmbim për zbutje të sanksioneve dhe për pajtueshmërinë për klimën në Paris në vitin 2015, nga e cila administrata Trump ka shpallur se do të tërhiqet.
Presidenti Trump, gjatë fjalimit të tij, e ka lavdëruar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Irak dhe Siri dhe tha se Pakistani, duhet të jetë më i vendosur në betejën kundër ekstremizmit.
Në strategjinë e re kombëtare të Shteteve të Bashkuara tërhiqet vërejtja se Kina dhe Rusia paraqesin “sfidë”.
“Ne, po ashtu, ballafaqohemi me fuqitë rivale Rusia dhe Kina, të cilat synojnë ta sfidojnë ndikimin, vlerat dhe mirëqenien amerikane. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë partneritet të madh me këto dhe vendet e tjera, por në mënyrën që gjithnjë i mbronë interesat tona kombëtare”, tha presidenti, Donald Trump.
Mëtutje ai e ka përmendur se është thirrë me telefon nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për ta falënderuar “vendin tonë për inteligjencë që CIA jonë ishte në gjendje t’i furnizojë ata lidhur me një sulm madhor terrorist të planifikuar në Shën Petersburg, ku shumë njerëz, me gjasë mijëra, kanë mundur të vriten”.
Në pjesën e strategjisë për Rusinë dhe Kinën, theksohet, po ashtu, se “ato janë të përkushtuara për t’i bërë ekonomitë më pak të lira dhe më pak korrekte, për t’i shtuar ushtritë e tyre dhe për ta kontrolluar informacionin dhe të dhënat për shtypje të shoqërisë së tyre dhe për zgjerim të ndikimit”.
Presidenti Trump tha se dokumenti 68 faqësh për strategji “e pranon se, na pëlqeu neve ose jo, ne jemi të angazhuar në periudhën e re të garës”, duke shpjeguar se “garat e fuqishme ushtarake, ekonomike dhe politike, tash po bëhen në gjithë botën”.
Në këtë kuadër, presidenti Trump, tha:
“Për të parën herë strategjia amerikane pranon se siguria ekonomike është siguri kombëtare. Vitaliteti, rritja dhe prosperiteti ekonomik në shtëpi, është absolutisht e domosdoshme për fuqinë amerikane dhe ndikimin e jashtëm”, tha Donald Trump.
Kjo strategji u publikua në periudhën kur raportet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë kanë arritur në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të mospajtimeve të mëdha, përfshirë agresionin e Rusisë në Ukrainë, rolin e saj në luftën në Siri dhe përzierjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.
Agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, ka raportuar se duke e cilësuar Pekinin “si rival” ishte “fitore për pjesëtarët e linjës së fortë” brenda administratës Trump dhe “reflekton hezitimin e Uashingtonit për ta pranuar realitetin e rritjes së Kinës”.
Kjo agjenci, mëtutje ka theksuar se raportet e Kinës me Shtetet e Bashkuara, ballafaqohen me “më tepër presion dhe sfida” si pasojë e strategjisë së re.
COMMENTS