Vetëm sa i afrohet njeriu ndjen frikën që ngjallë ky udhëkryq, i cili mori shumë jetëra .Dy përmendore të rrethuara me kurorë, sikur e plotësojnë edhe më shumë ambientin që trishton.
Hyrja në rrugën që merr drejtimin e Lipjanit i ngjanë një are të lëruar keq. Një gropë gjigante para udhëkryqit, e rregulluar tani dosido me rërë, si vetëkontribut i dikujt, dëshmon vetëdijen e individit përballë shtetit që nuk interesohet së paku për arnimin e rrugës krejt gropa, shkruan Ulpianapress.
Arben Bikliqi i cili udhëton çdo ditë nëpër këtë rrugë thotë se dy hyrjet që shpiejnë për në Lipjan, nga të dy drejtimet duhet të ndalen për shkak të gropave dhe shpeshherë ndodhë që disa prej veturave që vijnë prapa të mbesin në udhëkryq, duke rrezikuar kështu fatkeqësinë. Dhe, këtu nuk mbarojnë problemet, por nisin për të vazhduar rreth tri kilometra tjera të rrugës së dëmtuar dhe të mbushur krejt me gropa deri në hyrje të Lipjanit.Ka aq shumë gropa sa nuk mund të numërohen.Dhe secila përmbanë në vete një rrezik më shumë për të gjithë ata që e qarkullojnë cdo ditë rrugën që gjarpëron.Rreziku shtohet edhe më shumë kur bie shi dhe gropat e thella mbushen me ujë. Atëherë trafiku kthehet në stilin kush kah të mundet dhe rrezikshmëria e aksidenteve rrit edhe më shumë gjasën e fatkeqësisë.
Rreth ndërprerjes së punimeve të rrethrrotullimit ditë më parë ka reaguar kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, duke sqaruar se ky projekt duhet të finalizohej brenda një të ardhmeje të afërt derisa buxheti është i aprovuar me kohë në Ministrinë e Infrastrukturës
“Është e padrejtë që Ministria e Infrastrukturës ka ndërpre punimet te rrethrrotullimi në fshatin Banullë, sepse kontrata është e lidhur, mjetet buxhetore janë të aprovuara në buxhetin e Ministrisë dhe fakti që ky rretherotullim është një pikë e zezë në trafik. Rruga Prishtinë-Ferizaj është shumë e frekuentuar ndërkaq mosvazhdimi i punimeve do të thotë për çdo ditë rrezikim i jetërave të njerëzve në këtë segment rrugor”, ka deklaruar Ahmeti.
Dhe përderisa Ministria e Infrastruktures i ka ndalë punimet dhe është e preokupuar me projekte të mëdha nuk ka kohë për “cikërrima”, vozitësve u mbetet te luten për zgjidhje nga lart.
” Lutem që edhe këto ditë të fillimit të Pranverës të bie borë dhe ti mbulojë gropat se vetëm atëherë ato nuk nxjerrin krye sepse askush nuk mirret me mirëmbajtjen e kësaj rruge”, tha Bikliqi./Ulpianapress/
COMMENTS