Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka sqaruar publikun për zhvillimet e fundit sa i takon inicimit nga deputetët për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa ka bërë të ditur se nga sot Kuvendi është në pushim sipas Rregullores deri në javën e tretë të janarit.
Veseli tha se dita e premte nuk ishte e lehtë për Kosovën, ndërsa i ka siguruar qytetarët se Kosova qëndron e palëkundur në përkushtimin e vet perëndimor, për integrim në Bashkimin Europian dhe për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e plotë e kryeparlamentarit Kadri Veseli:
Në vazhdimësi ka pasë qëndrime të ndryshme rreth Gjykatës Speciale. E di që dje nuk ka qenë një ditë e lehtë për Kosovën. Por, kjo assesi nuk duhet ta dekurajojë askënd e as ta lekundë besimin në Kosovën dhe miqtë e saj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë sovranë në të drejtat, përgjegjësitë dhe vendimet e tyre.
Në respektim të Rregullores së Kuvendit, iniciativa e 43 deputetëve për të sjellë një projektligj që shfuqizon Ligjin për Dhomat e Specializuara është shqyrtuar dhe është proceduar për vendimmarrje, bazuar në Rregulloren e Kuvendit. I gjithë procesi është zhvilluar konform ligjeve të vendit dhe qëndrimeve politike të secilit subjekt.
Kosova qëndron e palëkundur në përkushtimin e vet perëndimor, për integrim në Bashkimin Europian dhe për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kuvendi i Kosovës, në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, nga sot futet në pushimin dimëror, deri në javën e tretë të muajit janar.
COMMENTS