Veseli: Stadiumi i Kombëtares do të ndërtohet në Drenas

Veseli: Stadiumi i Kombëtares do të ndërtohet në Drenas

PDK zyrtarisht do ta mbështes LDK-në për balotazh në këtë komunë

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka konfirmuar edhe një herë se stadiumi i kombëtares do të ndërtohet në Drenas. Ka thënë se edhe një stradium i tillë do të ndërtohet edhe në Prizren.

Këto premtime, Shefi i PDK’së i ka bërë gjatë një vizite që është duke e zhvilluar në Hungari.

Pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Làszló Kövér, kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se në Prishtinë vetëm do të ketë modernizim të stadiumit.

“Hungaria është mbështetëse e madhe e Kosovës dhe është e gatshme që vendin tonë ta përkrahë financiarisht në disa projekte, siç është ndërtimi i stadiumeve olimpike në Prizren dhe në Drenas, si dhe modernizimi i stadiumeve në Mitrovicë dhe në Prishtinë”, ka shkruar Veseli, në FB.

“Këto dhe të tjera projekte në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, së shpejti do të vihen në jetë. Për këtë, si dhe për mundësitë tjera të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në Budapest pata kënaqësinë që të bisedoja në një takim të veçantë me homologun tim Làszló Kövér”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.

Por, ndaj këtyre paralajmërimeve të zyrtarëve të PDK’së kanë reaguar zyrtarët e Qeverisë. Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, ka thënë se stadiumi i kombëtare do të ndërtohet në Bernicë të Prishtinës.

“Stadiumi Olimpik ndërtohet aty ku ishte planifikuar. Pra në Bërnicë të Poshtme. Është gënjeshtër e kulluar ideja e zhvendosjes së tij në Drenas”, është shprehur Arifi, duke iu referuar deklaratave të fundit të dy zyrtarëve të PDK-së, Veselit dhe Lladrovcit.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve kohë më parë kishte përcaktuar lokacion Bërnicën e Poshtme, që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh për ndërtimin e një stadiumi Olimpik, shkruan Gazeta Express.

Veseli edhe një herë tjetër para disa ditësh kishte paralajmëruar ndërtimin e stadiumit në Drenas. Këtë e kishte bërë pasi kishte vizituar Ramiz Lladrovcin.

“Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga bashkëpunëtorë i ka prezantuar përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit zonën ekonomike përballë Parkut të Biznesit të shpronësuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit sa i përket këtij stadiumi.

Por, lidhur me këtë ndërrim lokacioni nuk di asgjë FFK-ja. Kështu bëri të ditur për Gazetën Express nënkryetari, Agim Ademi.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, u përgjigj fillimisht Ademi për Express kur u pyet për ndërrimin e lokacionit.

“Vendi është caktuar kohë më parë nga Qeveria e mëparshme. Është nda edhe toka që tashmë është në pronësi të MKRS-së. Ka filluar edhe fizibiliteti ku kanë konkurruar nëntë kompani. Ata janë përgjegjës për këtë punë”, shtoi numri dy i FFK-së./GazetaExpress

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)