Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Podujevës, Ajet Potera ka konfirmuar se janë duke zhvilluar takime me rivalët politikë për të marrë përkrahjen për balotazh. Ka thënë se nuk ka ndonjë vendim për koalicion me PDK-në pasi po presin lejen nga udhëheqja qendrore e Partisë.
“Kemi biseduar edhe me rivalët politikë që i kemi pas..”, ka thënë Potera.
Ai ka thënë se nuk e di qëndrimin e PDK-së derisa ka thënë se e ka përkrahjen e elektoratit të subjekteve tjera.
“Ma shumë mbështetjen e elektoratit sepse nuk e di qëndrimin konkret të PDK-së ose të subjekteve tjera, mirëpo elektorati është i gatshëm për ndryshime”, ka thënë Potera.
“Neve na duhet me përcjell edhe hierarkinë me pa edhe vendimet e qendrës ndoshta edhe nuk i kemi të lejuara”, ka thënë ai për Express.
Ndërsa, Kryetari i Degës së PDK-së në Podujevë, Muhamet Latifi ka thënë të premten se partia e tij ende nuk ka qëndrim se kënd do ta mbështesë. Ai tha se do të dalin me një qëndrim lidhur me garën për Podujevën por nuk tregoi se kur.
Ndërkohë, Agim Veliu e ka konfirmuar se s’ka bërë marrëveshje me asnjë parti politike dhe se do të kandidojë i vetëm në balotazhin e 19 nëntorit.
“Jo s’kam marrëveshje e kam marrë vendimin e pakthyeshëm me garu vetë. Edhe pres sigurt fitoren”, ka deklaruar Veliu.
COMMENTS