Rrëfimet e grave kosovare për dhunimet që kanë përjetuar nga forcat militare e paramilitare serbe gjatë luftës nuk janë të pakta.
Por edhe pse po bëhen dy dekada qëkur ka përfunduar lufta, ato nuk gëzojnë mbështetje nga shteti.
Në nëntor të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të përfitojnë një pension prej 230 eurosh në muaj.
Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë që nga ky vendim, ende nuk dihet se kur do të fillojnë aplikimet e para për përftimin e kësaj mbështetjeje nga shteti.
Javë më parë, kryesuesja Komisionit Qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Minire Begaj pati deklaruar se në ditët e ardhshme pritet të ketë deri në njëmijë aplikime.
Sipas Feride Rushitit, drejtoreshë ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhë as gjatë ditëve të mbetura të vitit 2017.
“Ende nuk është përcaktuar data për pranimin e aplikimeve. Besoj nga janari do fillojmë”, ka deklaruar Rushiti.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti e ka quajtur “mashtrim” këtë vendim të Qeverisë Haradinaj.
Gjatë seancë së Kuvendit ku po diskutohej rreth Projektbuxhetit 2018, Hoti tha se është paraparë një shumë e vogël për viktimat e dhunës seksuale.
“Janë paraparë vetëm një milion euro, që i bije vetëm 300 persona mund të paguhen gjatë një viti”, tha deputeti i LDK-së.
Kujtojmë, se sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 janë dhunuar rreth 20 mijë gra kosovare./AktiviPress/
COMMENTS