Nisma për Kosovën mund të vlerësohet në një farë forme si fituese e zgjedhjeve të balotazhit të 19 nëntorit. Kjo parti përveç që ka rikonfirmuar fitoren në Malishevë, ka fituar thuajse në secilën komunë ku ka qenë në koalicion.
Partia e Fatmir Limajt ka qenë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren duke e bërë përmbysjen e madhe. Merret vesh se Limaj ka qëndruar sot gjithë mesditën në Prizren për të mobilizuar elektoratin e Nismës për të votuar Mytaher Haskukën.
Ndikimin e Limajt në Prizren e ka komentuar edhe analisti Ilir Mirena. Ai në një debat televiziv ka thënë se zëvendëskryeministri Limaj ka ndikim në rezultatin e sotëm zgjedhor të koalicionit VV-NISMA.
“Limajn e lidh shumëçka me Prizrenin. Ka ndikim në atë zonë edhe për shkak të kohës se luftës, por edhe se është nga ai rajon dhe ka pasur ndikim në mobilizimin e Nismës”, ka thënë Mirena.
Këto janë komunat tjera ku Nisma ka qenë në koalicion dhe do të jetë në qeverisje komunale: Në Klinë bashkë me AAK-në. Në Vushtrri bashkë me LDK-në. Në Mitrovicë bashkë me AKR-në. Në Suharekë dhe Rahovec bashkë me AAK-në, ndërsa në Ferizaj me PDK-në.
Kjo parti prezantohet në secilën komunën të Kosovës me këshilltar komunal.
COMMENTS