Gazetarët sudanezë hynë në një grevë urie këtë të enjte, në valën e protestave masive kundër rritjes së çmimit të bukës, që siç njofton qeveria, ka shkaktuar 19 të vdekur, përfshi këtu edhe dy pjesëtarë të forcave të sigurisë.
“19 qytetarë kanë humbur jetën në incidente, përfshi dy nga forcat tona të sigurisë”, që kur protestat nisën të shpërthenin më 19 dhjetor, tha zëdhënësi i policisë, Boshara Juma, në një dalje publike nga televizioni shtetëror.
Shumica e tyre u vranë gjatë “incidenteve me plaçkitje”, ndërsa 219 të tjerë u plagosën, shtoi më tej zëdhënësi i policisë. Askush nuk ka mbetur i vrarë në kryeqytetin Khartoum, deklaroi Juma.
Autoritetet sudaneze kishin informuar më herët se 8 persona kishin vdekur gjatë përplasjeve, ndërsa “Amnesty International” e çon numrin e viktimave në plot 37.
Shoqata e Gazetarëve sudanezë tha të enjten se vendosën të hynin në grevë në solidaritet me protestuesit, të cilët kanë dalë nëpër rrugët e Khartoumit dhe qyteteve të tjera të vendit.
“Deklarojmë grevën treditore duke nisur nga 27 dhjetori, për të protestuar kundër dhunës që po ushtrohet nga qeveria kundër demonstruesve”, tha rrjeti i gazetarëve./tch
COMMENTS