Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka zhvilluar një takim me kongresistin amerikan, Eliot Engel.
Çka vërehet në fotografitë e postuara nga Ymeri në facebook është edhe prezenca e flamurit të Kosovës, që nuk ndodh shpesh te zyrtarët e kësaj partie.
“Me këtë rast njoftuam z. Engel për rezultatin pozitiv zgjedhor që kemi korrur në këto zgjedhje lokale dhe për tendencat manipuluese të PDK e LDK për ta cenuan këtë fitore të qytetarëve të Prishtinës, Prizrenit e Dardanës. Po ashtu folëm për rastin e montuar politik e dënimin absolutisht të padrejtë e tërësisht arbitrar për Frashër Krasniqin, Atdhe Arifin, Egzon Halitin e Adea Batushën të shqiptuar nga Gjykata themelore e Prishtinës”, ka shkruar Ymeri në facebook.
“Me z. Engel diskutuam edhe për zhvillimet aktuale politike me theks të veçantë në zhvillimin e domosdoshëm ekonomik e industrial të vendit, si dhe domosdonë për një gjyqësor funksional e të pavarur”, ka thënë lideri i VV-së.
Ndryshe Engel po qëndron në një vizitë në Kosovë tash e disa ditë. /Lajmi.net/
COMMENTS