Detaje nga përleshja me armë mes policisë dhe hajnave në Gjakovë, flet pronari i dyqanit

Detaje nga përleshja me armë mes policisë dhe hajnave në Gjakovë, flet pronari i dyqanit

Nesër fillon aksioni “Sofra e Kurban Bajramit” (Video)

Gjakovari Ahmet Syla ka gjashtë vjet që mban familjen me një biznes që atij nuk i siguron shumë të ardhura. Por, disa herë ky biznes i tij ishte cak i hajnave. Njejtë ndodhi edhe mbrëmë pas mesnatës kur disa persona me maska i morën atij cigare në vlerë prej gati 2 mijë euro, e të njëjtët edhe u përleshën me armë zjarri me policinë. Express ju sjell detaje nga aksioni ku mbetën të lënduar disa policë e tre persona janë në arrati.

Në rrugën “Konferenca e Bunjajt” në Gjakovë familja Syla ka disa vite që punon në dyqanin e saj, nga ku shesin cigare. Por, nga ky biznes ata nuk sigurojnë të ardhura të mëdha, megjithatë disa herë janë bërë cak i vjedhjeve. Për t’u munduar që t’i ikin këtyre dëmeve, në dyqanin e tyre kanë vendosur kamera, por, as këto të fundit nuk i kanë ndalur grabitësit.

Mbrëmë ishte hera e tretë kur dyqani i tyre u thye e nga aty u vodhën cigare në vlerë gati 2 mijë euro.

Syla duke rrëfyer rastin për Express thotë se kjo gjë e ka shqetësuar shumë.
“Që gjashtë vite merrem me shitje, ky është burimi i vetëm i të ardhurave, kanë tentuar edhe dy herë të tjera të na vjedhin, mirëpo nuk ja kanë arritur”, tha ai.

Sipas Sylës, shpëtim nga dëmi më i madh ishte intervenimi i shpejtë i policisë.

Ai pas mesnatës u lajmërua nga banorët e kësaj lagje për atë se çka kishte ndodhur.
“Shpresoj që këto raste të ndalen dhe popullata të ndihmojë më shumë si në rastin tim po edhe falë ndihmës dhe intervenimit të shpejtë të policisë”, u deklarua ai.

Sipas tij, në këtë lagje nuk ishte i vetmi dyqani i Sylës që u plaçkit, njejtë kishte pasur edhe raste të tjera nëpër Gjakovë.

Rastin ka ndodhur në orën 02:05 minuta, e policia ka vërejtur grabitësit gjatë patrullimit që po kryenin në këtë pjesë.

“Njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprimet policore me qëllim të parandalimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, por të dyshuarit në momentin kur kanë vërejtur njësitet policore kanë tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes”, deklaruan për Express nga policia.

Mirëpo, derisa policia po tentonte të parandalonte vjedhjen, të dyshuarit tentuan të iknin me veturë me c’rast gjatë ikjes edhe e godasin automjetin zyrtar duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore zyrtarëve policorë dhe duke dëmtuar veturën e tyre.

Të njejtët gjithashtu kanë shtënë me armë zjarri drejt policisë, ndërkaq, në vetëmbrojtje janë përgjigjur edhe zyrtarët policorë.

Derisa ndjekja e të dyshuarve ka vazhduar edhe për dy kilometra, policia ka arritur të arrestojë vetëm njërin nga të dyshuarit (M.R. kosovar/shqiptar i lindur 1991), e tre personat tjerë të dyshuar gjenden ende në arrati.

Policët të cilët u lënduan gjatë aksionit kanë marrë trajtim mjekësor vetëm pasi arrestimi ka përfunduar.

Ndërkaq, Ahmet Syla sot gjatë ditës u detyra që të paguajë për dëmet që iu bënë për të vazhduar punën e përditshme./A.K/Express/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)