Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se për herë të parë po e ndien vetën idiot, pasi u fol për Demarkacionin, në seancën ku kryeministri po mban interpelancë për energjinë.
Zeka në fjalimin e tij tha se interpelanca për energji është e vjetër, andaj ëstë dashur të anulohet.
“Thirrja e interpelancës për mu është jashtë logjikës, se interpelanca është thirrë në mars, e po mbahet në maj. Tërhiqne bre se është vjetëru. Njerëzit i ndërrojnë gratë kur ju vjetrohen, e le ma interpelancat. Tërhiqe. E jo këtu me ardh na, dërrt ai, dërrt ai, dërrt ai. Përralla Qeveria, përralla opozita, përralla na. Na e kena pas për detyrë me ba Kosovën shtet, e nëse e kishim ba këtë, sot s’i kishim diskutu këto sene”, ka thënë Zeka.
Tutje Zeka tha se diskutimet e tilla në Kuvend mes deputetëve ia kanë gërditur jetën popullit.
“Ne i kemi mizerie rrogat e Policisë. Hajde shihni pacientët nëpër spitale. Këto janë probleme që më mundojnë e jo kjo puna e demarkacionit e veriut të Mitrovicës. Pa u ba edhe një luftë e tretë botërore, harroni këto tema se veç jeni tu ja ly trurin me akull popullit, fukara të shkretë që qatë ditë që të liberalizohen vizat, veç kanë me këqyr qysh me i marr edhe lopët e ballicat e me ik prej këtij vendi. Na ja kena gërdit jetën popullit me këto debate. Hajnia, papunësia në kulm, e na diskutojna për demarkacion e veri të Mitrovicës këtu. O me ba me na kthy Brukseli shpinën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, o jo që ta nal Gazivodën, po ta lëshon uji deri në Prishtinë. E dina na sa trima jena kanë në luftë. Krejt i dina, se qitu jena kanë. Edhe RTK’në e kisha lut që kur ka ksi debate palidhje, me ndal transmetimin krejt. E pyeta Kujtim Shalën a ke kuptu diçka prej këtij debati. Tha bash kurrgjë s’kam kuptu edhe jam me grip”, deklaroi tutje Zeka, me fjalimin e të cilit qeshën të gjithë deputetët e Kuvendit.
COMMENTS