Përplasjet me deklarata të krerëve të institucioneve më të larta të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, shpërfaqin skajshëm mungesën e një konsensusi të spektrit politik institucional, lidhur me qasjen ndaj dialogut me Serbinë në Bruksel, por edhe rivalitetet e moçme politike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Së fundmi Haradinaj, të mërkurën, në një emision të televizioni Klan të Shqipërisë, duke kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën presidenti Thaçi e quan “korrigjim të kufirit”, ka thënë se “kufijtë që i kanë vendosur çizmet (ushtarake) vetëm çizmet i garantojnë. Nuk lejoj të preken kufijtë tanë”, ka thënë Haradinaj.
Duke iu referuar kësaj deklarate, presidenti Thaçi ka thënë të enjten se “ata që po flasin për luftëra, nuk jam duke i penguar, kush të ketë qejf le ta nisë ku të dojë” dhe se “luftërat nuk zhvillohen në emisione televizive por në istikame”.
Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i vlerëson të dëmshme përplasjet përmes deklaratave të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, të cilat sipas tij, përveç kundërshtimeve parimore, përmbajnë edhe një dozë të madhe të rivaliteteve politike.
“Padyshim që janë rivalitete politike, siç kanë qenë edhe para se të ekzistojë kjo qeveri që sot e kemi. Kemi, në njërën anë, presidentin i cili kërkon korrigjim të kufirit dhe në anën tjetër, kemi kryeministrin, i cili në asnjë anë nuk lejon që të preket vija kufitare që ka qenë dhe që është e sqaruar edhe me Dokumentin e Ahtisaarit. Qeveria ka emëruar edhe një grup të caktuar për dialog që, në njëfarë mënyre, t’ia pamundësojë presidentit diskutimin e çështjes së kufijve. Nëse udhëheqësit kryesorë të institucioneve, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, nuk pajtohen për mënyrën se si duhet të negociohet në dialogun me Serbinë dhe cilat duhet të jenë ato ‘vijat e kuqe’ për çka nuk duhet të diskutohet, atëherë unë konsideroj që ky është një problem shumë i madh”, theksoi Demhasaj.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përplasjet verbale ndërmjet krerëve institucionalë, tregojnë mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe se ndërmjet tyre nuk ka shkëmbim informacionesh se për çka është duke u diskutuar në procesin e dialogut.
“Po shihet që po udhëhiqet prej presidentit Thaçi. Qeveria, me anë të një vendimi që ka marrë para disa muajsh, i ka dhënë aprovimin dhe e ka hequr mandatin prej vetes, duke e bartur atë te presidenti Thaçi për ta menaxhuar këtë proces. Ka qenë vetë kryeministri Haradinaj që ka thënë ‘unë nuk kam kohë që të merrem me këtë proces’. Në fakt, po reflektohet që mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve është problem, pasi që po kemi mesazhe të ndryshme nga krerët institucionalë dhe po shihet që reflekton më pas në mungesën e një qëndrimi unik shtetëror të Kosovës”, tha Krasniqi.
Mungesa e koordinimit të krerëve institucionalë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, do t’i hapë mjaft probleme Kosovës në pozicionimin saj në dialogun e Brukselit, si dhe për qasjen ndaj këtij dialogu.
Demhasaj thotë kur këtyre mosmarrëveshjeve u shtohet edhe mospajtimi i opozitës për qasjen ndaj dialogut, kjo e vë Kosovën në pozitë mjaft të pafavorshme në këtë proces.
“Kur presidenti Thaçi shkon dhe negocion në Bruksel për një temë të tillë (‘korrigjim të kufirit’), atëherë i duhet të llogarisë se për këtë nuk e ka përkrahjen, fillimisht të institucioneve të Kosovës, e pastaj partive tjera politike. Ai diskutim, pastaj, mund të jetë vetëm në emrin e tij personal ose vetëm duke u bazuar në institucionin e Presidentit dhe jo në të institucioneve tjera. Kështu që, është një pozitë shumë e pafavorshme, e cila e vendos Kosovën po ashtu në pozitë të pafavorshme dhe e forcon pozitën e Serbisë, të cilën edhe ashtu e ka të forcuar sot”, u shpreh Demhasaj.
Mendim të ngjashëm ka edhe Krasniqi.
“Një përçarje e tillë apo mosekzistimi i një qasje unike e shtetit të Kosovës në këtë proces, patjetër që mund ta dëmtojë Kosovën dhe qëndrimin apo pozicionin e saj në këtë dialog”, theksoi Krasniqi.
Sidoqoftë, Krasniqi ka thënë se pavarësisht faktit që Kosova dhe Serbia janë pjesë e negociatave të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, në këtë proces janë të përfshirë edhe faktorë tjerë të fuqishëm ndërkombëtarë. Përcaktimi i qëndrimit të këtyre të fundit karshi pozicioneve, të cilat janë duke u artikuluar në Prishtinë dhe Beograd, sipas saj, do të ndikojnë edhe në politikën e brendshme të Kosovës.
COMMENTS